Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për vrasjen e xhaxhait të Ibrahim Licit, Fatbardh Licit dhe ka çuar për gjykim Safet Bajrin, Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon, kjo e fundit e liruar pak ditë më parë nga qelia dhe e lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Gjykata e Posaçme pritet të marrë vendimin nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet në SPAK për plotësim hetimesh. Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur ndaj të pandehurve akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa për Eria Ago SPAK e akuzon se ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarjeje. Motivi i vrasjes së Licit në gusht të vitit 2018, sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi. / abcnews.al /

