Vrasja e Elis Rroshkodolit në Shkodër/ Autori dyshohet vrasës me pagesë, u largua me një automjet me targa malazeze

schedule11:26 - 31 Gusht, 2024

schedule 11:26 - 31 Gusht, 2024

Detaje të tjera bëhen të ditura nga ngjarje e ndodhur mesditën e së premtes në zonën e Zdrales në Shkodër, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli. Dyshohet se autori është një vrasës me pagesë, i cili është ndihmuar nga një person tjetër për t’u larguar me një automjet që kishte targa malazeze.

Automjeti është tip Mercedez Benz “A class”, vit prodhimi 2016-2018, ngjyrë gri. Dyshohet se automjeti me targa “BR B 680” është vjedhur në Mal të Zi në fillim të muajit gusht.

“Ka qenë lokali pothuajse i boshatisur, rreth orës 13:00, ai ka qenë në pjesën e jashtme të lokalit me mikun e tij, ku një person i maskuar, është afruar dhe ka zbrasur karikatorin e një silenciatori, dhe është larguar me një automjet që dyshohet se ka pasur targa të Malit të Zi. Autori i dyshuar ka pasur një bashkëpunëtor tjetër, që ka qenë drejtues i automjetit. Dyshohet vrasës me pagesë.”, raportoi gazetari Simon Shkreli.

Mendohet se 36 vjeçari, banues në Shkodër, i druhej një atentati pasi në çantën e tij policia gjeti një armë zjarri me fishekë në fole, gati për qitje. Afro 10 vite më parë, Elis Rroshkodoli është arrestuar në Belgjikë si pjesë e një grupi kriminal që merrej me vjedhje e grabitje me dhunë.

Ndërkohë një vit më parë rezulton se ka plagosur me thikë një person në Rumani. Pavarësisht këtyre ngjarjeve 36 vjeçari nuk rezulton person me precedent penal në Shkodër ndërsa pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e prishjes së pazareve mes grupeve kriminale./abcnews.al