Ky është momenti kur çifti Buçpapaj braktis mjetin dhe largohen në këmbë pasi bashkëshorti goditi me thikë për vdekje të riun Pashollari.
Shtetasja Laureta Buçpapaj deklaron se më datë 20.02.2026, rreth orës 15:05, pasi përfundoi orarin e punës, është larguar nga vendi i punës me automjetin tip “Audi”, me targa AA 709 VM, me drejtues bashkëshortin e saj, Gazment Buçpapaj.
Gjatë lëvizjes në rrugën “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, sipas saj, një automjet ngjyrë gri e kishte bllokuar rrugën. Bashkëshorti i saj i kishte rënë borisë për ta sinjalizuar të lëvizë, por shoferi i mjetit i kishte ofenduar me fjalë të rënda. Ata nuk kanë reaguar dhe kanë vazhduar lëvizjen.
Më vonë, makina gri ka lëvizur ngadalë përpara tyre. Bashkëshorti i saj i ka rënë borisë dhe mjeti ka ndaluar. Nga automjeti kanë zbritur tre persona, përfshirë një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët dhe bluzë të zezë me mëngë të shkurtra. Në ato momente, Gazment Buçpapaj ka dalë nga automjeti dhe ka nisur një përplasje fizike me grushte me personat përreth.
Laureta Buçpapaj ka ndërhyrë duke shtyrë drejtuesin e mjetit gri dhe një nga personat që e shoqëronin. Pas disa çastesh, ka konstatuar se shoferi ishte gjakosur. Ajo dhe bashkëshorti i saj janë larguar fillimisht me makinë, e cila është braktisur rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes. Më pas ata janë larguar në këmbë drejt rrugës së Kavajës dhe tek “Pasticeri Nela” kanë marrë taksi për në banesën e tyre, përballë kthesës së varrezave të Sharrës.
Në banesë, Gazment Buçpapaj ka ndërruar rrobat dhe më pas është larguar në këmbë drejt qendrës së Tiranës, pa marrë telefonin e tij. Laureta Buçpapaj deklaron se nuk ka parë momentin kur bashkëshorti mund të ketë goditur shoferin me ndonjë send, por dyshon se mund ta ketë përdorur një thikë me palosje që e ka parë më parë në makinën e Gazmentit.


