Detaje të tjera dalin në dritë nga ngjarja e ndodhur mesditën e së martës në fshatin Kurjan të Roskovecit, ku u vranë me armë zjarri vëllezërit Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj. Si autor i dyshuar i ngjarjes është arrestuar 49 vjeçari Altin Kuka, i cili i qëlloi me automatik teksa qëndronin në një lokal.
Megjithatë, policia ka gjetur një tjetër armë zjarri, që mund të jetë përdorur në krim. Sipas gazetares Valbona Davidhi, arma i është gjetur djalit të autorit të dyshuar kur është arrestuar. Kjo shton dyshimet se autori mund të mos ketë qenë vetëm 49 vjeçari ose mund të ketë marrë përsipër autorësinë.
“Djali i arrestuar dyshohet se ka qenë prezent në zhvillimin e ngjarjes. Nuk e kemi ende të saktë por fakti që policia e arrestoi në përpjekje për t’u arratisur, dhe është sekuestruar një armë tip pistoletë, mund të ndryshojë rrjedhën e hetimit dhe të zgjerojë pistën e grupit hetimor për të gjetur autorët. Nëse kemi të bëjmë vetëm me vrasje nga gjaknxehtësia apo me sulm që iu është organizuar vëllezërve. Po hetohet nëse ka pasur konflikte pronësie. Ajo që thuhet në fshat është se mund të ketë qenë konflikt i çastit mes të rinjve por pistat e hetimit janë të hapura, sepse mund të ketë edhe motive të tjera që kanë çuar në vrasjen. Mund të ketë pasur një konflikt të hershëm për shkaqe pronësie.”, tha gazetarja.
E pyetur nëse ekziston mundësia që Altin Kuka të ketë marrë përsipër fajin, gazetarja shtoi:
“Nuk përjashtohet kjo mundësi. Nga grupi hetimor se është gjetur një armë pistoletë tregon se në vrasje janë përdorur dy armë. Kjo mund të përkthehet nga ajo që më është thënë nga grupi hetimor. Është sekuestruar pistoleta, përveç armës për të cilin autori deklaroi se kreu vrasjen. Rrjedhimisht mund të kemi dy persona të përfshirë.”/abcnews.al


