Vrasja e dyfishtë në Laç, gjenden dy armë pas klinikës ku u mjekua Eduard Lamaj

schedule14:15 - 27 Qershor, 2020

schedule 14:15 - 27 Qershor, 2020

Dy armë zjarri janë gjetur në një pusetë pas klinikës ku u mjekua në fshehtësi Eduar Lamaj në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e dy biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.

Policia sqaron se armët mund të jenë përdorur në ngjarjen kriminale.

Lamaj akuzohet si i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë. Arrestimi i tij u bë pak ditë më parë. Prej 20 ditësh, i riu nga Laçi strehohej në banesën e motrës së tij në kryeqytet dhe u arrestua në momentin që po mjekonte plagën që kishte marrë në këmbë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit në atentatin ndaj dy biznesmenëve

Njoftimi i policisë: 

Vijon puna hetimore intensive dhe e pandërprerë për dokunentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.

Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.

Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar.

Vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Kurbin,  DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!