Vrasja e dyfishtë, Edmond Përdoda pranon krimin e tregon armën, lihet në burg nga Gjykata

schedule11:16 - 14 Shkurt, 2022

schedule 11:16 - 14 Shkurt, 2022

Edmond Përdoda, i arrestuar për vrasjen e dyfishtë në Lezhë, të Preng Simonit dhe rapsodit Kol Murrani, është lënë në masën e sigurisë arrest në burg nga Gjykata.

Për Përdodën sot u zhvilluan dy seanca, njëra është për konfirmimin e masës së sigurisë që i është dhënë në mungesë dhe e dyta sepse i janë gjetur armë. Përdoda ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë dhe ka rrëfyer ngjarjen. Ai i tregoi policisë se ku ndodhej arma e krimit, në fshatin Lalm Lukaj.

Edhe pse ishte në kërkim prej dy vitesh, Përdoda jetonte i qetë në banesën e tij deri të enjten e shkuar, kur forcat RENEA e arrestuan atë në oborrin e banesës, në fshatin Lalm i Ri, në periferi të qytetit të Lezhës. Përdoda akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy personave kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Kujtojmë se Kol Murrani dhe Preng Simoni janë vrarë me armë zjarri në datën 27 prill 2020, në fshatin Lalm i Ri. Autorë të ngjarjes u identifikuan vëllezërit Aleksandër Perdoda dhe Edmond Perdoda.

Ditën e vrasjes Kol Murrani dhe Preng Simoni shkuan për të vizituar banesat e tyre të vjetra në fshatin Lalm Lukaj, por u përballën me dy vëllezërit e armatosur, të cilët dyshohet se kishin mbjellë kanabis në tokat e dy viktimave. Rapsodi i njohur Kol Murrani dhe miku i tij u ekzekutuan me breshëri arme kallashnikovi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!