Vrasja e dy oficerëve në Spanjë, kërkohet largimi i ministrit të Brendshëm

schedule15:55 - 12 Shkurt, 2024

schedule 15:55 - 12 Shkurt, 2024

Autoritetet në Spanjë kanë arrestuar 8 persona pasi dy oficerë të Gardës Civile mbetën të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, kur varka e tyre e patrullimit u godit nga një tjetër varkë e shpejtësisë së lartë, që dyshohet se drejtohej nga trafikantë droge.

Ngjarja ndodhi në portin jugor të Barbates. Zonat e bregut jugor të Spanjës kanë regjistruar në vitet e fundit një rritje të përplasjeve të dhunshme mes policisë dhe trafikantëve që transportojnë drogën nga Afrika e veriut.

Garda Civile, që patrullon portet, akset rrugore dhe kufijtë e vendit iberik ka deklaruar se dy nga pasagjerët që ndodheshin në varkën e trafikantëve janë arrestuar, bashkë me tre të tjerë që ishin arratisur dhe 3 persona që prisnin në tokë.

Ndërkohë, një nga dy oficerët e plagosur vazhdon të qëndrojë në spital, por është jashtë rrezikut për jetën.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez u bëri ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, që pas vdekjes u dekoruan me kryqin e artë të Gardës Civile për merita të veçanta në kryerjen e detyrës.

Ngjarja e rëndë, që ka vënë edhe njëherë në dukje shkallën e dhunës në rajonin Kampo të Gjibraltarit dhe rrethina, shkaktoi reagimin e ashpër të sindikatës së oficerëve. Ajo i bëri thirrje ministrit të Brendshëm të Spanjës, Fernando Grande Marlaska që të japë menjëherë dorëheqjen, duke e akuzuar se nuk është person i përshtatshëm për mbajtjen e postit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!