Vrasja e biznesmenit Rakip Roli në Laç ka ndodhur për motive të dobëta. Kjo është ajo që bën të ditur policia në reagimin zyrtar për rastin ndërsa në pranga janë vënë babë e bir Skënder dhe Llej Lika.
Ndërkohë është proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës shtetasi D.G., banues në Kurbin, për përkrahje të autorit të krimit.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi, një automjet tip “Benz” dhe një motoçikletë ndërsa nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe se autori i dyshuar i vrasjes së 55- vjeçarit është 22-vjeçari Lika ndërsa e kanë ndihmuar që të kryejë krimin babai dhe shoku i tij Klajdi Beleshi (Gj).
Pasi kanë parë shërbimet e policisë, autorët e dyshuar kanë tentuar të largohen. Dyshohet se i riu ishte fshehur te halla e tij në Fushë Miliot.
Ngjarja ka ndodhur në dalje të Sanxhakut ku viktima po lëvizte në drejtim të Mamurrasit. Mësohet se kjo ishte një rrugë që ai e përshkonte çdo ditë. Kjo do të thotë se ai ishte vëzhguar nga autorët të cilët i kanë zënë pritë në këmbë duke zbrazur kallashnikovin. Fillimisht Roli ka tentuar të largohet, por autorët kanë qëlluar edhe në pjesën anësore të automjetit derisa ai ka humbur kontrollin.
Pasi ka ecur për disa metra ai është përplasur me një automjet fillimisht, dhe më pas ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në anë të rrugës. Në momentin e të shtënave në vendin ku ka ndodhur atentati ka humbur kontrollin edhe një automjet i tretë që ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes. /abcnews.al/