TEPELENË- Të gjithë personat e shoqëruar nga policia për ngjarjen e Nivicës ku biznesmeni italian u gjet pa jetë, janë lënë të lirë. Konkretisht ata janë Eqrem,Daniel dhe Gazment Braçi,(babai me dy djemtë e tij)si dhe Armir Hitoveizi, bari i zonës, të cilët ishin bashkë me viktimën ku u shënua ngjarja.
Burimet konfirmojnë se policia nuk ka patur fakte të cilat i lidhnin këta persona me humbjen e jetës se 44-vjeçarit Eduardo Sarchi, ortak me Eqerem Braçin në një fabrikë tullash në Tiranë.
Mësohet se gjatë deponimeve ata janë shprehur se një person i ka prerë rrugën automjeteve me të cilët qarkullonin dhe pasi ka shtënë njëherë në ajër, ai ka hapur zjarr drejt mjetit të parë, aty ku ndodhej dhe viktima.
Mes panikut biznesmeni italian ka dalë jashtë mjetit ku është prekur nga një plumb rikoshet në këmbë çka mund t’i këtë shkaktuar dhe humbjen e jetës si pasojë e hemorragjisë.
Pavarësisht se 4 personat janë lënë të lirë pas dhënies se dëshmive, ata mund të rithirren sërish, kjo në varësi të dinamikës së ecurisë se hetimeve, ndërsa policia po kreh të gjithë zonën nga vendi ngjarjes e deri ne fshatrat më të thellë malor, pasi autori dyshuar që është ende mister për policinë, mund të jetë larguar drejt Vlorës thonë burime konfidenciale, ndërsa ende policia dhe prokuroria nuk kanë mbajtur qëndrim zyrtar mbi këtë ngjarje.

