Pesë ditë pasi ekzekutoi 62-vjeçarin Haxhi Baçinozi, vetëdorëzohet autori i krimit të ndodhur në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. Mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 19:30, Islam Mylkaj, 61 vjeç, është dorëzuar pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë i shoqëruar së bashku me avokatin e tij. Mylkaj, mbrëmjen e së shtunës rreth orës 18:15 ka qëlluar mbi Baçinozin, pas një konflikti verbal mes tyre për një borxh të vjetër nga tregtia e përbashkët që kishin bërë vite më parë.
Para grupit hetimor në dëshminë e tij, Mylkaj mësohet të jetë shprehur i penduar për krimin e kryer. Ai ka thënë se ka reaguar pasi ishte ndjerë i fyer dhe kërcënuar nga ish-ortaku i tij në biznes. Mes dy burrave prej kohesh kishte një konflikt për një borxh prej rreth 45 mijë eurosh. Ngjarja ndodhi në zonën e parkut të Liqenit Artificial në prani të disa dëshmitarëve, mes të cilëve dhe djalit të viktimës. Për këtë ngjarje është vënë në pranga, ndërkohë dhe Myftar Pasha, person i cili ka qenë nën shoqërinë e autorit të dyshuar të krimit në momentin që ka ndodhur vrasja./abcnews.al

