Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, avokati Romeo Kara, foli për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që tronditi opinionin publik.
Gjatë kësaj interviste, avokati tha se ishte një ngjarje e rëndë duke theksuar se vendi ndodhet në një gjendje emergjence dhe se “durimi përfundoi tek gjyqtari i fundit”, për një çështje si ajo e pronës.
“Ka pasur procese pafund. Mesa shoh ‘peri i durimit’ u këput tek gjyqtari i fundit, që për çudi kam marrë mendimet më të mirë nga koleg. Por nëse kemi perceptimin e saktë që vendi është zhytur në korrupsion dhe një llum moral të paimagjinuar më parë dhe nuk e kemi imagjinuar kurrë që njerëzit do merrnin kaq hapur pronën publike apo pronën e tyre dhe do të ishin krenar. Për këtë them se ky korrupsion nuk mund të ndodhte pa pasur garancinë e pushtetit të drejtësisë që të ishte inekzistent për njerëzit që shtypeshin”, tha ai.
Më tej komentoi edhe qëndrimet e kreut të PD Sali Berisha, duke thënë se vetë Berisha është simbol i padrejtësisë.
“Ne kemi një reformë që u nis mbase jo si duhet. Ka bërë disa përparime. Por njerëzit nuk mund të torturohen. Në këtë dosje janë përfshirë mbi 20 gjyqtarë. Unë mendoj që deklaratat e Berishës kanë qenë të imponuara që të jetë pak i tërhequr dhe për këtë mund të them që Berisha është denigruesi më i madh i drejtësisë”, tha ai.
/abcnews.al/

