Vrasja e Artan Cukut, grekët refuzojnë ekstradimin e Bledar Jambellit

schedule16:52 - 12 Qershor, 2019

schedule 16:52 - 12 Qershor, 2019

Gjykata e Lartë Greke liron Bledar Jambellin, i dyshuar si personi që ka porositur vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të vendimit të plotë nga gjykata greke, në mënyrë që të vendosë për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë.

I dyshuari si porositësi i vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku lihet i lirë. Deri të mërkurën, asnjë nga autoritetet e vendit duket se nuk e dinin se iu kishte rrëshqitur nga duart Bledar Jambelli, personi që urdhëroi ekzekutimin mafioz të zyrtarit më të lartë të policisë të vrarë deri më tani me një plan të mirëfilltë kriminal.

Autoritetet shqiptare mësohet se ishin informuar në maj të këtij viti për vendimin e dhënë nga gjykata e ë greke për mos ekstradimin e Bledar Jambellit. Por prej një muaji duket se ishin në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e drejtësisë helene e cila duket se ka vlerësuar si nul provat e paraqitura në gjykata bashkangjitur kërkesës për ekstradimin e Jambellit.

Bledar Jambelli rifitoi lirinë, vetëm pak ditë pasi ish-drejtuesi i lartë i policisë Artan Cuku, i vrarë për shkak të detyrës u shpall dëshmor i atdheut.

Përgjigja negative për Jambellin ka mbërritur prej më shumë se 1 muaji pranë Ministrisë së Drejtësisë, por është mbajtur e fshehtë nga autoritetet tona.  Ndërkohë, prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të vendimit të plotë i Gjykatës së Lartë Greke.

Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar në Greqi, gati 2 vite pas vrasjes së kryekomisarit Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata e krimeve të rënda i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë më 8 Prilli 2017.

Në baze të hetimeve ka rezultuar se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e Kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Për vrasjen e Artan Cukut, vuan dënimin ekzekutori Mikel Shallari, ndërsa është ende në kërkim i akuzuari si bashkëpunëtor, Kristian Leci si bashkëpunëtor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!