Vrasja e Ardian Nikulajt/ Maroku pranon kërkesën e Shqipërisë, jep “ok” për ekstradimin e autorit

schedule17:20 - 21 Dhjetor, 2023

schedule 17:20 - 21 Dhjetor, 2023

TIRANË- Maroku ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin Ruben Ribeiro Saraiva, i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikualjt në Shëngjin. Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili dha detaje me një postim në “Facebook”.

Ministri Balla thotë se pandëshkueshmëria do të marrë fund dhe askush nuk mund t’i fshihet drejtësisë shqiptare.

“Sundimi i ligjit vijon të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund. Askush nuk do të mund t’i fshihet. Falë mbështetjes së Interpol, marrëdhënia me të cilët ka hyrë në një fazë të re, si dhe bashkëpunimit me agjencitë  ligjzbatuese të Marokut, jemi bërë me dije se është pranuar kërkesa jonë për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Policia e Shtetit do të realizojë së shpejti ekstradimin e tij në Shqipëri”, shkruan ministri Taulant Balla.

Autori i dyshuar i krimit, portugezi Ruben Saraiva u vu në pranga në maj të këtij viti në Marok. Biznesmeni Nikulaj u ekzekutua më 19 prill  me shtatë plumba në ambientet e biznesit të tij në zonën e Shëngjinit. Nikulaj mbahej në vëzhgim nga disa persona të tjerë deri sa portugezi i kamufluar me maskë arriti të hynte në lokal duke e qëlluar biznesmenin lezhian për vdekje.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!