Vrasja e Alfred Dedjas/ Arma e krimit ende nuk është gjetur, policia sërish kontrolle në vendin ku e ka hedhur autori

schedule12:03 - 4 Dhjetor, 2024

schedule 12:03 - 4 Dhjetor, 2024

Policia e Tiranës pritet të rikthehet sërish këtë të mërkurën në vendin ku dyshohet se autori i vrasjes së Alfred Dedjas, Julian Gjoshi, ka hedhur armën e krimit në shkurre.

Një ditë më parë, kontrollet kanë rezultuar pa sukses ndërsa sot në ndihmë të hetuesve do të jenë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë. Burime thonë se nëse edhe FKS sot nuk e gjen armën, nuk përjashtohet mundësia që Julian Gjoshi të merret personalisht për të treguar vendin e saktë ku e ka hedhur.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës së kaluar në një lokal në zonën e Ndroqit. Autori u vetëdorëzua më vonë në polici, dhe në dëshminë që ka dhënë para uniformave blu, ai ka treguar se e ka kryer vrasjen pasi Dedja, me të cilin kishin qenë edhe miq, e shante te persona të tjerë.

“Fredi më shante, më shante mua nëpër tavolina. Mua ma thanë të tjerë këtë gjë, e mora vesh që më ofendonte dhe më ulte në sytë e të tjerëve. Unë e kam mbajt me bukë atë e kam pas shok, ai më shante pas krahëve. Erdha tek lokali, aty e pashë, nuk durova dot më. Sapo e pashë e vrava. Pasi e vrava, armën e kam hedhur ne një kanal jo shumë larg nga vendi i ngjarjes”, tha ai./abcnews.al