Konflikti me disa kushërinj është e vetmja pistë qe ka ngritur deri tani Policia e Tiranës për vrasjen e 71 vjeçarit Abdulla Budlla, pasditen e së hënës në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit.
Burime zyrtare nga grupi hetimor konfirmojnë për “ABC News”, se në rrugë operative uniformat blu kanë siguruar informacione se konfliktet e tij të vetme kohët e fundit ishin me disa kushërinj të cilët jetojnë në zonën e Fushë-Prezës.
Por për shkak të hetimeve, policia tregohet e rezervuar lidhur me motivet e këtij konflikti.
Familjarët e viktimës gjate marrjes ne pyetje u kanë thënë hetuesve se nuk kanë pasur asnjë shqetësim nga ndonjë person. Për të zbardhur edhe më shumë këtë ngjarje, e për të çuar hetuesit drejt identifikimit të autorëve, policia po vijon gjurmimin për të zbuluar mjetin e përdorur në krim.
Abdulla Budlla u qëllua me 7 plumba kallashnikovi në trup teksa kishte parkuar mjetin në anë të rrugës.
Prej vitesh ai punonte në të zezë si taksist, ndërsa në vendngjarje policia nuk gjeti asnjë gëzhojë. Atentatorët duket se janë treguar të kujdesshëm për të mos lënë prova në vendngjarje duke qëlluar nga një makinë në ecje dhe të gjitha gëzhojat kanë rënë brenda në mjet./abcnews.al/