Vrasja e 55 palestinezëve, tensione të larta në Rripin e Gazës

schedule11:09 - 15 Maj, 2018

schedule 11:09 - 15 Maj, 2018

Një ditë pasi trupat izraelite vranë 55 persona në Rripin e Gazës, palestinezët do dalin sërish për të protestuar kundër Izraelit.

E marta shënon 70-vjetorin e pavarësisë të Izraelit. Kjo ditë, sipas palestinezëve, quhet Katastrofa (Nakba), e cila simbolizon arratisjen e mijëra personave pas krijimit të Izraelit në 1948-n.

Sipas BBC-së, parashikohet që tensionet në varrosjen e personave që mbetën të vrarë të hënën të jenë shumë të larta.

Zyrtarë palestinezë janë shprehur se përveç të vrarëve, rreth 2.700 persona të tjerë mbetën të plagosur në atë që ata e kanë krahasuar me një masakër. Kjo ishte një nga përplasjet më të dhunshme në Gaza që pas luftës në 2014-n.

Ndërkohë ngjarjet vijnë pas zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve nga Tel Aviv në Jeruzalem, duke zemëruar kështu palestinezët.

Kjo sepse Jeruzalemi Lindor pretendohet si kryeqyteti i shtetit të Palestinës në të ardhmen.

Lëvizja e SHBA-ve sipas tyre, bëhet për të mbështetur kontrollin e plotë të Izraelit mbi qytetin.

Kurse lidhur me këtë ngjarje, Kryeministi izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria e tij u vetëmbrojt dhe po vepronte kundër sunduesve islamikë të Gazës, të cilët, sipas tij, kërkojnë që të shkatërrojnë Izraelin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!