Analisti Adri Nurellari u shpreh në “Abc-ja e mëngjesit” se mosreagimi i kryëeministrit Rama pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë rrit sensin e padrejtësisë si dhe ngjall më tepër dyshime mbi ngjarjen. Analisti theksoi se ajo që shkakton më tepër indinjatë është dhe fakti që institucionet përkatëse janë përpjekur të manipulojnë ngjarjen.
“E shikoj të admirueshme solidaritetin e manifestuar nga rinia. ka neglizhencë por faktikisht protesta tregon se ka ende një përgjegjësi qytetare, një ndjesi përgjegjësie dhe solidariteti që për mua është një lajm i mirë, nuk ka ngordhur ende nervi i ndjeshmërisë ndaj padrejtësive. Me rastin e policisë është një rast i dhimbshëm. Ishte përdorimi i tepruar i armëve të zjarrit që në parim kanë rregulla shumë specifike dhe strikte të përdorimit. Ajo që e shëmton më tepër situatën është përpjekja e institucioneve për të minimizuar dhe manipuluar të vërtetën me deklarata të ngutura.
Dorëheqja nuk është një dramë politike, nuk është as diçka e rrallë por fatkeqësisht ne nuk kemi patur dorëheqje të mirëfillta por dëbime të ministrave. Ne shikojmë që për suksesin më të vogël të një polici me vrap rendet ministri për të marrë meritat dhe kur vjen puna për të mbajtur përgjegjësi politike për atë që vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë atëherë kemi këtë shkëputje të zinxhirit komandues dhe evitim të përgjegjësisë politike.
Nëse duhet drejtësia duhet të kishte një rang të gjatë pezullimesh, në mënyrë që t’i hapej rruga drejtësisë dhe dorëheqjes dhe të mos pengohej si dhe njerëzit në këtë lloj zinxhiri komandues të ishin larg institucioneve për të mos penguar zbardhjen e të vërtetës. Kryeministri poston për gjithçka nga mbjellja e një peme, do të duhet të reagonte sepse bëhej fjalë për një ngjarje tejet të rëndë dhe fakti që nuk ka reaguar tregon se aty ka diçka dhe gjithë kjo lloj amullie ngjall më tej dyshime dhe rrit sensin e padrejtësisë dhe indinjatës së qytetarëve.”, u shpreh ai. /abcnews.al