Drejtor për hetimin e krimeve të rënda, Ervin Hodaj deklaroi se policia nuk ka përjashtuar asnjë pistë në lidhje me hetimet për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani pranë shkollës Fan Noli pak ditë më parë.
Në emisionin “360 gradë”, duke komentuar spekulimet se në këtë ngjarje është i përfshirë edhe një autor tjetër, Hodaj deklaroi se nga hetimet e deritanishme, rezulton vetëm një autor. Por ai shtoi se hetimet janë në vazhdimësi dhe policia nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë edhe autor tjetër
“Policia as nuk përjashton dhe as nuk shton autorë të dyshuar të veprave penale. Policia thotë, me të gjithë veprimet e para hetimore që ka kryer, ka rezultuar se nga veprimet hetimore deri tani, ka rezultuar si i dyshuar një autor. Por policia nuk e përjashton këtë. Nuk ndryshon asgjë. Policia ka versionin e hetimit. Deri tani në hetim ka rezultuar një autor që është pyetur disa herë edhe nga prokurorë. Janë pyetur edhe dëshmitarë minorenë, edhe babai për pretendimet dhe argumentet që ka. Nuk mendoj se në këtë ngjarje ka sekret hetimor. Kjo është ngjarje më delikate dhe më e vështirë për policinë sepse kemi disa subjekte hetimi që është e vështirë edhe nga ana e policisë dhe prokurorisë në prani të psikologut për t’u pyetur dhe ripyetur për të marrë atë të vërtetë siç ka ndodhur ngjarja. Në këtë kuptim themi se jemi në hetim e sipër. Nga të gjitha rrethanat, deri tani del vetëm një autor. Kjo nuk e përjashton që në vazhdimësi hetimi mund të nxjerrë dhe autor të dytë apo të tretë. S’e ka thënë kurrë policia e shtetit që është vetëm një dhe kaq.“, tha Hodaj.
Ndërkohë gazetari Trashëgim Sokolaj tha se oficeri i policisë në procesverbalin e ngjarjes ka shënuar dy persona si autorë të dyshuar.
“Ka një fakt të ri. Më thonë nga grupi hetimor që oficeri që ka mbajtur procesverbalin e vendit të ngjarjes ka shënuar aty edhe emrin e një autori të dytë. E kam edhe emrin. Fillon me germën K, dhe e ka shënuar në procesvberbal, emrin e personit të arrestuar dhe të një bashkëmoshatari tjetër”, u shpreh ai./abcnews.al