Për vrasjen e Klodian Rashës dhe protestat me episode dhune që pasuan kanë reaguar edhe ambasada gjermane në Tiranë dhe zyra e Prezencës së OSBE-së.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës. Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci.
Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna“ deklaron ambasadori gjermane Peter Zingraf.
Ndërsa OSBE kërkon shmangien e dhunës në protestë. “Ligjshmëria dhe rendi publik janë në themel të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen e saj të thellë për vdekjen e Klodian Rashës dhe besimin se ajo do hetohet si duhet. Mendimet dhe lutjet tona janë për familjen e tij. Tani, ne bëjmë thirrje për përmbajtje nga çdo lloj dhune dhe që të lejohet ligji të veprojë” mbyllet deklarata e OSBE-së./ db/Abcnews.al