Tumori vijon të mbetet “vrasësi” më i pamëshirshëm. INSTAT ka publikuar të dhënat për vitin 2018, ku shihet një rritje me 5.1% e vdekjeve tek meshkujt, dhe rënie me 4.6% tek femrat. Qarku më i prekur është Gjirokastra, dhe numrin më të ulët të vdekjeve e ka Tirana.
Rritet numri i meshkujve që humbën jetën nga tumori në vitin 2018 dhe shihet një ulje e ndjeshme e vdekjes tek femrat. Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT, vdekjet tek meshkujt në 2018 janë rritur me 5.1 %, 115 raste më shumë në raport me 2017. Alarmante është grupmosha 20- 24 vjeç, ku janë regjistruar 10 vdekje, 7 më shumë nga viti i shkuar. Mosha mbi 50 vjeç vijon të jetë më e prekura, dhe në grupmoshën 35- 39 vjeç janë regjistruar 23 raste.
Ndërsa vdekja e femrave ka rënë me 4.6%, 65 më pak se viti i mëparshëm. Grupmosha më e prekur mbetet ajo mbi 50 vjeç me 90% të rasteve, ndërsa tek të rejat nuk ka pasur rritje. Referuar INSTAT, niveli i vdekshmërisë nga Tumoret ka një rritje prej 1,4 % krahasuar me vitin 2017. Më të prekurit janë nga “Tumore të aparatit të tretjes” (34,5%) dhe “Tumore të aparatit të frymëmarrjes” (24,1 %).
Sipas INSTAT numri më i lartë i vdekjeve nga tumoret, është regjistruar në Gjirokastër, me 207 të vdekur për 100 mijë banorë. Më pas Korça, Shkodra, Vlora, Berati dhe Elbasani. Ndërsa, numri më i ulët i vdekjeve për 100 mijë banorë e ka Tirana me 93 të vdekur, më pas Kukësi (98) dhe Durrësi (107)./ABC News Albania 24/7