Vrapi: Kampion ekipi me stolin më të fortë, Partizanit i mungon diçka

schedule22:41 - 31 Tetor, 2019

schedule 22:41 - 31 Tetor, 2019

Endri Vrapi, ish-lojtari i njohur i Superiores, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News. Elbasanasi, në analizën e tij për kampionatin, theksoi se në fund do ecë më mirë ai ekip që do të ketë stolin më të mirë.

“Do jetë një kampionat shumë i luftuar dhe unë e shoh ndryshe nga të tjerët, që kush do të ketë stolin më të fortë, do të bëjë më mirë dhe do të shpërblehet. Partizani dhe Tirana, deri diku edhe Kukësi, janë skuadrat që do rivalizojnë. Pastaj vjen Teuta”, u shpreh Vrapi.

“Potencialin e ka Teuta. Duhet parë nëse është më e fortë se vjet. Janë në tre ekipet e para dhe mendoj se është pretendente nën hije. Vërtetë mund ta ketë objektivin për titullin, por që ta dalësh kampion duhet të kesh shumë lojtarë me potencial, si Tirana dhe Partizani. Flas për stolin”.

Ai komentoi edhe atë që ndodhi te Partizani, mes trajnerit Franco Lerda dhe ndihmësit të tij Dritan Mehmeti: “Vendimet i merr trajneri i parë, por ai e ka një me të cilin ai konsultohet. Kjo ka ardhur ndoshta se mendonte se do të fitonte me Kukësi. Ndoshta mërzia, janë akumuluar më pas shumë gjëra dhe mund të ketë qenë kjo shkaku”.

“Moduli i lojës ndryshoi sërish. Ai e ka menduar që pjesën më të fortë Kukësi ka sulmin. Ndeshjen e parafundit luajti me katër. Ai nuk ka gjetur stabilitetin te lojtarët. Të njëjtin rreshtim kishte edhe Kukësi. Mënyra se si e kishte përgatitur ndeshjen, sulmuesit e zgjedhur nuk ishin atë që duheshin për ta fituar ndeshjen”. /abcnews.al