Vranësira dhe reshje shiu, temperaturat pësojnë rënie

schedule07:13 - 10 Shtator, 2024

schedule 07:13 - 10 Shtator, 2024

Shqipëria do të vijojë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, ku vranësirat do të jenë prezente. Herë pas here do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar rrebeshe shiu, më të theksuara në zonat veriperëndimore dhe zonat jugperëndimore, duke sjellë probleme me përmbytje lokale  në disa qytete të Ultësirës Perëndimore.

Pjesa e dytë e ditës do të sjellë dobësim të ndjeshëm të intensitetit të shirave duke i zhvendosur ato drejt zonave malore përgjatë shtrirjes lindore.  Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 10°C vlera minimale deri në 29°C vlera maksimale në rang territori.

Era do të fryjë e fortë si në tokë dhe në det duke arritur shpejtësinë mbi 65 km/h nga drejtimi verior. Kjo do të bëjë që në brigjet e Adriatikut dhe Jonit të krijohet dallgëzim 4 -5  ballë.

Kosova

Përgjatë gjithë të ditës republika e Kosovës do të jetë me vranësira dhe shira të herë pashershme, ku më të theksuara reshjet do të paraqiten në zonat kufitare me Shqipërinë duke sjellë edhe probleme në zonat lokale. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të vijojnë nën ndikimin e  kthjellimeve të shkurta si edhe vranësirave të shpeshta duke sjellë rrebeshe të izoluara. Përsa i përket temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme si në mëngjes edhe në mesditë duke  luhatur vlerat ditore nga 8°C vlera më e ulët deri në 26°C më e lartë në territor. Era do të fryjë e lehtë paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi permanent verior.

Maqedonia e Veriut

Republika e MV përgjatë gjithë 24 orëshit do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke sjellë vranësira  dhe shira në pjesën më të madhe të MV, ku më të dukshme shirat do të jenë në zonat jugore dhe jugperëndimore të MV. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të vijojnë më prezencë të vranësirave në të gjithë territorin e MV duke krijuar mundësi për rrebeshe shiu. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme si në vlerat minimale edhe në ato maksimale duke u luhatur nga 8°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 28°C vlera  maksimale e cila do të shënohet në qytetin e Shkupit. Ndërkohë era  do të paraqitet mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë mbi 55 km/h nga drejtimi  permanent verior.

Europa

Prezenca e një qendre të presionit të ulët atmosferik përkatësisht në rajonin e Mesdheut do të sjellë reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta ere në gadishullin e Ballkanit si edhe Europën Juglindore. Po ashtu, vendet nordike si edhe Britania e Madhe do të përfshihen nga rrebeshe shiu si edhe mini- stuhi ere si pasojë e një qendre të fuqishme ciklonare e zhvilluar mbi Europën veriore ndërsa moti i kthjellët dhe vranësirat e pakta do të mbizotërojnë në gadishullin Iberik, brigjet e Detit të Zi si edhe Europën Lindore.