Ambasadorja amerikane Yuri Kim u bëri thirrje shqiptarëve, që nëse u ka ardhur në majë të hundës korrupsioni, të votojnë për ndryshimin. Shumë nënkuptuan se kjo ishte një thirrje për të votuar koalicionin opozitar, por diplomatja sqaroi disa herë më pas se SHBA nuk mban asnjë anë politike.
Për të “zbërthyer” intervistën e ambasadores amerikane, i ftuar në studion e Radarit Informativ në ABC ishte analisti Mentor Nazarko, i cili u shpreh se theksi i Yuri Kim është për të përzgjedhur individin në listën e kandidatëve, pa përcaktuar kampin politik. Nazarko tha se nuk mendoj se ka reshtim të qartë të SHBA-së për opozitën.
“Ka një parim i cili vlen kryesisht në drejtësi apo të drejtën, sipas të cilit kur duhet të interpretosh një tekst asnjëherë nuk mund ta interpretosh në një paragraf të tij. Nëse do të interpretonim vetëm një paragraf favorizon ndryshimin, rrotacionin. Nuk është që PD ka bërë ndonjë gabim të madh, apo ata që e kanë interpretuar që kjo fjali favorizon rotacionin, në fushatë bëhen spekulime.
Edhe media ka rënë në të njëjtën grackë, por ajo intervistë kishte shumë mesazhe, nëse shkojmë te mesazhi i ndryshimit, ajo i referohej dënimit publik, të vijueshëm të shit-blerjes së votës nga njëra palë apo tjetra.
Unë insistoj që kjo intervistë duhet lexuar në tërësinë e saj, integritetin e saj, nuk e quaj gabim atë orientim që i kanë dhënë opozita apo disa kolegë të mi. Ambasadën e SHBA-së unë e quaj konseguente në linjën e saj të pandryshueshme. Nuk mendoj se ka reshtim të qartë të SHBA-së për opozitën.Theksi është për të përzgjedhur individin pa përcaktuar kampin” tha ai.
Konflikti elektoral, tha më tej Nazarko është në nivele të larta dhe sipas tij ambasadorja po përpiqet që gjithçka të zhvillohet brenda dialektikës. “SHBA-në, që ta them në mënyrë popullore, shyqyr që i kemi, janë duke treguar interes për pastrimin e politikës sonë, sipas radhës së veprimeve, pastrimi është bërë krahas pastrimit të drejtësisë. SHBA duan që ky të jetë një shtet funksional, po vijnë investime të mëdha amerikane” tha ai.
Publikimin e të dhënave personale për fushatë nga PS, Nazarko e cilësoi skandal. “Për shkak të publikimit është një skandal i madh. Skandali që një parti i ka dhe i keqpërdor në një mënyrë si ajo që i kemi parë” përfundoi ai. / db/ Abcnews.al