Ambasadorja e SHBA Yuri Kim përsëriti sërish sot nga Vlora se Amerika nuk mbështet asnjë kandidat apo parti në zgjedhjet e 25 prillit dhe se interesi i vetëm është që shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të mos ketë shit-blerje vote.
“SHBA nuk mbështesin një parti të caktuar apo kandidat të caktuar. E vetmja që mbështesim është e drejta e shqiptarëve që të shprehin të drejtën e tyre me votë. Dhe paralajmërojmë kundër kujtdo, duke blerë apo shitur votën. Votuesit ta mbajnë mend që kanë fuqinë dhe përgjegjësinë.
Jam e frymëzuar, pasi në Vlorë jam takuar me disa nga drejtuesit e shoqërisë civile që e bën të qartë që në një demokraci shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm. Sot në Fier u takova me votues që do të votojnë për herë të parë.
Më bëri shumë përshtypje sa të informuar ishin për të drejtat e tyre. Ne nuk folëm se për cilin do të votonin pasi është cështje vetjake, por patëm diskutim të mirë për atë që ata mendojnë. Ndihem besimplotë që demokracia shqiptare është në drejtimin e duhur dhe shpresoj që të rinj të tillë do ta ndihmojnë Shqipërinë për ta vendosur në rrugën e duhur” deklaroi Kim.
Pak ditë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim u bëri thirrje shqiptarëve, që nëse u ka ardhur në majë të hundës korrupsioni, të votojnë për ndryshimin. Shumë nënkuptuan se kjo ishte një thirrje për të votuar koalicionin opozitar, por diplomatja sqaroi disa herë më pas se SHBA nuk mban asnjë anë politike./db/ Abcnews.al