Votimi i emigrantëve/ Të shtunën nis regjistrimi, Rama shpërndan drejtuesit në diasporë

schedule10:48 - 9 Janar, 2025

schedule 10:48 - 9 Janar, 2025

Socialistët nuk kanë kohë për të humbur. Për të dytën herë gjatë kësaj jave, Edi Rama mblodhi kryesinë e partisë, nga ku kërkoi angazhimin e të tijve për regjistrimin e emigrantëve në zgjedhje, proces ky që nis këtë të shtunë.

Në të njëjtën ditë, një pjesë e drejtuesve politikë do të udhëtojnë drejt Athinës për tu takuar me emigrantët atje ndërsa në Itali do të jetë drejtuesi politik për Diasporën.

Këtyre takimeve do tu bashkohen edhe disa kryetarë bashkish. Turi do të vijojë edhe në javët në vazhdim, deri në përfundim të regjistrimit të emigrantëve.
Mundësimi i votës së diasporës ka marrë angazhimin kryesor të selisë rozë, eksponentët të se cilës e cilësojnë si arritje historike.

Paralelisht edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi aktin e fundit që përcakton rregullat se kur pranohet apo refuzohet aplikimi i një qytetari që voton nga jashtë vendit.

Kërkesa e Partisë demokratike për ti dhënë akses në platformën online partive politike për të vëzhguar arsyet e pranimit apo miratimit të emigrantëve duhet të kalojë më parë nga rregullatori.

Të shtunën e 11 janarit do të nisë edhe regjistrimi i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!