Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, nuk ka marrë votat për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Po ashtu edhe tre kandidatët e tjerë nuk janë votuar nga deputetët e pranishëm në sallë.
Elek përmes shortit u hodh në votim tri herë radhazi për nënkryetar të legjislativit, në seancën e kësaj të enjeteje të konstituimit të legjislaturës së nëntë, mirëpo nuk mori asnjë votë pro, 54 deputetë votuan kundër, kurse 19 deputetë abstenuan.
Në votim nuk morën pjesë deputetët nga Lista Serbe.
Përfaqësuesit e popullit po tentojnë këtë të enjte për herë të 60-të, që të zgjedhin trupat e legjislativit. Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe katër nënkryetarëve, deputetë nuk po arrijnë konsensus për zgjedhjen e nënkryetarit tjetër nga komuniteti serb, që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.
Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij.
Pas krejt këtyre zhvillimeve në Kuvend, kryeparlamentari Dimal Basha theksoi se në frymën e bashkëpunimit e ndërpret seancën për ta vazhduar të enjten, në ora 11:00.
Në ditën e 10-të, pasi ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për bërjen e Kuvendit, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, tha se pret të marrë më shumë se 61 vota për ta përfaqësuar komunitetin serb nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

