Votimi i Diasporës/ Celibashi në ABC News: Palët janë të interesuara për ta realizuar procesin e votimit në zgjedhjet e 2025

schedule17:44 - 23 Maj, 2024

schedule 17:44 - 23 Maj, 2024

TIRANË- Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, të mërkurën në tryezën e grupit të dialogut për reformën zgjedhore prezantoi një sistem, që sipas tij, mundëson realizimin e votimit nga jashtë për të gjithë shqiptarët, që nuk kanë mundësi të jenë prezentë në qendrat e votimit në vend.

Por ky prezantim i bërë nga KQZ-ja u shoqërua me pikëpyetjet e para nga përfaqësuesit e politikës.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i ftuar në “News Line” u shpreh se me gjithë kohën e vonuar, palët politike janë të interesuara për t’i dhënë jetë procesit të votimit nga jashtë, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025.

“Koha e shpenzuar, duket se palët janë të interesuara për ta realizuar procesin e votimit nga jashtë në zgjedhjet  e 2025. Por duhet ta pranojmë, ata akoma nuk janë duke diskutuar në terma konkretë se si ky proces do të realizohet në 2025”, tha ai.

Ai theksoi se propozim i bërë nga KQZ-ja duhet të shërbejë si një element për të nxitur debatin e palëve, me qëllim që ky proces të marrë bekimin e Kuvendit.

“Nga dje, nuk është se pati ndonjë gjykim apo vlerësim në lidhje me propozimin e paraqitur nga ana jonë, por sidoqoftë ishte një elementë për ta nxitur diskutimin për atë se si mund të bëhet votimi nga jashtë”, theksoi ai.

Partia Socialiste u shpreh se më e pranueshëm është varianti klasik i votimit, që është ai me postë. Në këtë pikë, Celibashi tha se duhen zgjidhur disa dilema që lidhen kryesisht me besueshmërinë e aktorëve që duhet ta kryejnë këtë proces.

“Nëse do jetë vetëm variant nëpërmjet postës, është e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për ndonjë gjë specifike. Konsiston në dërgimin e fletës së votimit nga KQZ te ai votues që ka të drejtën për ta ushtruar të drejtën dhe kthimi fizik mbrapsht të fletës në KQZ. Diskutimi këtu lidhet mbi cilësitë e atij që mund ta ofrojë shërbimin postar. Ka diskutime nëse do jetë një operator ndërkombëtar i besuar për të gjitha palët apo dhe shërbimet e postave lokale”, theksoi ai.

Por sa diskriminues do jetë ky format nëse votimi elektronik nuk do zbatohet njësojë për të gjithë shqiptarët, edhe për ata që jetojnë në Shqipëri? Për këtë, Kreu i KQZ, “topin e përgjegjësisë” e pasoi tek aktorët e politikës.

“Logjikisht bën sens ky argument, por e thashë që kjo është një çështje që nuk është as objekt i punës së deritanishme të KQZ. Ne i kemi propozuar grupit negociator për reformën zgjedhore një sistem, i cili mundëson votimin nga jashtë, por pjesa se si votimi brenda vendit mund të ndryshojë në formë, kjo është çështje tjetër”,  tha ai.

Në fund të bisedës, Celibashi tha se Kuvendi duhet të përmbushë sa më shpejt vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të garantuar votën e emigrantëve.

Sipas tij, nëse këto ndryshime ligjore nuk bëhen të mundura, atëherë mundësia e emigrantëve për të votuar nga jashtë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025 nuk  mund të realizohet.

“Do duhet që patjetër që Kuvendi i Shqipërisë të angazhohet dhe të përmbushë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse Kuvendi i Shqipërisë, sipas vlerësimit të tij, nuk bën plotësimin e boshllëqeve ligjore, atëherë nuk mund të ketë votim nga jashtë në zgjedhjet e 2025. Nëse do vijojmë të jemi në këto kushte, atëherë nuk mund të realizohet votimi nga jashtë në zgjedhjet e 2025”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!