Votimi elektronik, PD i dërgon KQZ-së dy propozime! Endri Hasa shpjegon arsyet në ABC

schedule11:07 - 7 Janar, 2021

schedule 11:07 - 7 Janar, 2021

Partia Demokratike i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një shkresë me dy sugjerimet e saj për qarqet ku kërkon të aplikohet projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik. Qarqet e propozuara nga PD pranë KQZ-së janë Fieri dhe Korça.

“Z. Komisioner. Në përgjigje të shkresës suaj nr. 2646. datë 28. 12.2020 mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 Prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, ju bëjmë me dije se opinioni i Partisë Demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë”, thuhet në shkresën e dërguar nga PD që mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Gazment Bardhi.

Eksperti për elektronikën në PD, Endri Hasa në një intervistë për ABC shpjegon arsyet e kësaj vendimmarrje. “KQZ i ka tashmë gati dokumentacionin sa i përket kuadrit ligjor për të vazhduar më tej dhe brenda kësaj jave apo tjetrën mund të hapë procedurat në sa zona ose në sa qendra votimi do të implementohen për të pilotuar procesin e votimit elektronik”, tha Endri Hasa.

Ndërkohë burimet thonë se PS nuk ka dërguar asnjë propozim pas kërkesës së kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi, por paraprakisht thonë për ABC se janë të hapur për të pranuar propozimet e dërguara nga Partia Demokratike.

Celibashi në kërkesën e tij, theksoi se projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje do zbatohet në 20% të zonave, pikë kjo e dakordësuar në Këshillin Politik. Për të vendosur se në cilat zona zgjedhore do zbatohet projekti pilot për të mundësuar numërimin dhe votimin elektronik, do duhet konsensusi i palëve politike./mv.abcnews.al

Shkresa e dërguar nga Partia Demokratike

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!