Vota e diasporës/ Kreu i KQZ jep detajet: Më 11 janar fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë

schedule17:39 - 1 Janar, 2025

schedule 17:39 - 1 Janar, 2025

SHQIPËRI– Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, përmes një videomesazhi ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit të ri të mbarë dhe plot shëndet në familjet e tyre.

Krahas urimit për festat, Celibashi ka njoftuar se më 11 janar 2025 do të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Ai pohoi se regjistrimi bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të futesh nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbahen më 11 maj 2025, datë kjo e dekretuar tashmë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj.

Në këto palë zgjedhje, Diaspora shqiptare do ketë mundësi të votojë për herë të parë për kandidatët e tyre të preferuar, pa patur nevojë të udhëtojnë drejt Shqipërisë.

Mesazhi i plotë:

Duke uruar gjithë shqiptarët për një Vit të Ri 2025 me shëndet e mbarësi për ta, njoftoj se në datën 11 Janar 2025, fillon procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025.

Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni KQZ, ose nëpërmjet faqes së internetit të këtij institucioni.Ky është një moment historik për zgjedhjet në Shqipëri, pasi për herë të parë bashkëqytetarët tanë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, do të kenë mundësi të votojnë atje ku ata e kanë vendqëndrimin e tyre./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!