Në kulmin e sezonit veror, fshati turistik i Voskopojës është mbushur me pushues që kanë zgjedhur freskinë e malit për t’iu larguar temperaturave të larta të qyteteve. Vizitorët janë kryesisht nga Tirana, Elbasani dhe qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme, ku termometri ka shënuar vlera të larta.
“Do të rrimë një javë. Jemi arratisur nga vapa e Elbasanit. Pikërisht temperaturat e larta ishin arsyeja që zgjodhëm Voskopojën.”
“Na pëlqen shumë Voskopoja. Sidomos ne që kemi probleme me astmën, na bën shumë mirë. Kam tre-katër vite që vij çdo verë. Jemi akomoduar në një bujtinë, ushqimi është bio dhe ditën e kalojmë duke shëtitur në natyrë.”
“Është një vend i bukur. Ajri është i pastër, klima shumë e mirë, ushqimet bio dhe njerëzit tepër mikpritës.”
“E kalojmë shumë bukur në Voskopojë. Vijmë shpesh. Ushqimet janë bio, njerëzit janë mikpritës, klima është e mrekullueshme dhe ndërtimet karakteristike i japin këtij fshati një identitet që nuk e gjen askund tjetër.”
Përveç turistëve vendas, Voskopoja vazhdon të tërheqë edhe vizitorë të huaj, duke qenë pjesë e guidave turistike ndërkombëtare. Ata mbeten të impresionuar jo vetëm nga peizazhi, por edhe nga trashëgimia e pasur e kulturës bizantine, me kishat shekullore që e kanë bërë fshatin një nga destinacionet më të veçanta në Shqipëri.
“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe në Voskopojë. Më pëlqen shumë vendi juaj. Ka malin, detin, liqenet dhe natyrën. Do të qëndrojmë tetë ditë. Shqipëria ka shumë vende për të vizituar, por unë gjithmonë lë diçka pa parë, që të kem një arsye për t’u kthyer përsëri.”
Me klimën e freskët, natyrën e paprekur, gastronominë tradicionale dhe trashëgiminë e pasur kulturore, Voskopoja vijon të mbetet një nga destinacionet më të pëlqyera të verës, si për turistët shqiptarë, ashtu edhe për vizitorët e huaj./abcnews.al



