Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përjashtuar nga gara kandidatin për Gjykatën Kushtetuese, Shaqir Hasanaj. Ai kishte kandiduar për vendin vakant të shpallur nga Presidenti dhe atë të shpallur nga Parlamenti.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga KED nuk bëhen të qarta arsyet e refuzimit të kandidaturës së Hasanajt, por thuhet se vendimet e plota dhe të zbardhura për ndalimin e kandidimit të tij do të publikohen më vonë.
Ky vendim i KED-së vonon më tej ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në mbledhjen e datës 17 korrik 2020, KED u ndaloi kandidimin edhe 9 gjyqtarëve të tjerë duke e thelluar kështu ngërçin me këtë gjykatë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë, mes të cilëve edhe Vitore Tusha që i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë.
Shaqir Hasanaj nga viti 1996 deri në vitin 1999 ka qenë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Më pas ka ushtruar funksionin si avokat, ndërsa në vitin 2012 u emëruar këshilltar juridik i Presidentit, Bujar Nishani. Pas lirimit nga kjo detyrë në vitin 2018, iu rikthye sërish avokatisë./abcnews.al