Duke iu përgjigjur komenteve të BE-së, që paralajmëroi se do të kufizojë eksportet e vaksinave anti-covid të prodhuara në bllok, mes përplasjes me Astrazeneca për vonesat në dërgesa, ministri britanik për Vaksinimin, Nadhim Zahawi, tha se si vendi i tij, ashtu edhe Bashkimi Europian, duhet të sigurojnë dozat e porositura.
Ministri, po ashtu, paralajmëroi kundër nacionalizmit të vaksinave.
“Kam besim se Pfizer do të dërgojë dozat sipas planit, si për ne, ashtu edhe Bashkimin Europian. Gjithashtu, mendoj se edhe AstraZeneca dhe Moderna, do ta bëjnë.
Ndërsa, vaksina të tjera aprovohen ne do të kemi më shumë doza në dispozicion në javët e muajt në vazhdim.
Ajo që duhet të bëjmë, është të shmangim nacionalizmin e vaksinës. Duhet të punojmë bashkë për të siguruar imunizimin e popullit britanik, që është edhe prioriteti im, por edhe për të mbrojtur të gjithë botën, pasi askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jemi të sigurt”, u shpreh Nadhim Zahaewi./abcnews.al