Von der Leyen: Ka ardhur koha të vendoset një tavan për çmimin e gazit natyror rus

schedule14:12 - 2 Shtator, 2022

schedule 14:12 - 2 Shtator, 2022

Ka ardhur koha për të vendosur një kufi në çmimet e gazit natyror rus të importuar në Europë nëpërmjet tubacioneve, tha sot Presidentja e Bashkimit Europian Ursula von der Leyen, në mënyrë që BE të kundërshtojë përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin për të manipuluar tregun europian të energjisë.

“Unë besoj fuqishëm se ka ardhur koha për të vendosur një kufi për gazin natyror rus të importuar përmes tubacioneve në Europë,” u tha von der Leyen gazetarëve në margjinat e një konference të ligjvënësve konservatorë gjermanë në Murnau.

A duhet që BE të vendosë një tavan në çmimet e gazit natyror?

Çmimet e energjisë në BE janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar. Në fakt, në ditët e fundit kostoja e energjisë elektrike në BE ka qenë dhjetë herë më e lartë se mesatarja e dekadës së fundit.

Dhe kjo, kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të gazit natyror. Ndërsa konsumatorët përballen me çmime gjithnjë e më të larta, liderëve të BE-së po u kërkohet të veprojnë për të zbutur kostot e tepruara të energjisë, raporton abcnews.al.

 Si mund ta arrijnë këtë?

“Një mënyrë është vendosja e një kufiri në çmimet e gazit natyror për energjinë elektrike,” sipas Gzero.

Një propozim, i paraqitur nga kryeministri italian në largim Mario Draghi, është të vendoset një kufi mbi çmimin e gazit rus të blerë nga kompanitë energjetike të BE-së.

Një veprim i tillë do të kufizonte fuqinë negociuese të Moskës kundrejt BE-së. Në të njëjtën kohë, megjithatë, do të rrezikonte ndërprerjen  e plotë e flukseve të gazit rus në BE nga Moska (shembuj të të cilëve i kemi parë tashmë përmes ndërprerjeve të njëpasnjëshme – ndoshta të shtirura përmes Nord Stream 1).

Një tjetër opsion është vendosja e një kufiri në çmimin e gazit natyror që përdoret për prodhimin e energjisë elektrike pavarësisht nga vendi i origjinës.

Në një rast të tillë, qeveritë e BE-së do t’u paguajnë kompanive energjetike diferencën midis këtij kufiri dhe çmimit më të lartë të gazit, në mënyrë që kompanitë të mos kenë nevojë t’ia kalojnë koston konsumatorëve.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!