Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të enjten se Bashkimi Evropian është i gatshëm të diskutojë një propozim për të hequr dorë nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat COVID-19. Ajo i bëri komentet ndërkohë që kompanitë farmaceutike janë shprehur kundër.
Presidenti i SHBA Joe Biden shprehu mbështetje të mërkurën për heqjen dorë nga patentat dhe negociatorja e tij e lartë për tregtinë, Katherine Tai, miratoi me shpejtësi fillimin e negociatave për këtë qëllim në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e quajti vendimin e zotit Biden “një moment monumental në luftën kundër COVID-19” dhe tha se kjo pasqyronte “mençurinë dhe udhëheqjen morale të Shteteve të Bashkuara”.
Von der Leyen, duke folur në Institutin e Universitetit Evropian në Firence, tha se BE-ja është e gatshme të diskutojë çdo propozim për trajtimin e krizës “në një mënyrë efektive dhe pragmatike”.
“Kjo është arsyeja pse ne jemi të gatshëm të diskutojmë se si propozimi i SHBA për heqjen dorë nga mbrojtja e pronës intelektuale për vaksinat mund të ndihmojë në arritjen e këtij objektivi,” tha ajo.
Por kompanitë farmaceutike, të cilat kanë prodhuar vaksina kundër koronavirusit në një kohë rekord, thanë se propozimi mund të sjellë efekt të kundërt, duke prishur zinxhirin e furnizimit që është mjaft i brishtë.
Në vend të kësaj, kompanitë u kërkuan vendeve të pasura që t’i ndajnë vaksinat më bujarisht me botën në zhvillim.
Gjermania, fuqia më e madhe ekonomike e BE-së dhe që zotëron një sektor të madh farmaceutik, e hodhi poshtë idenë, duke thënë se arsyet e mungesës së vaksinave janë kapacitetet e prodhimit dhe standardet e cilësisë.
Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se ai është dakord me synimin e Presidentit Biden për të mbuluar të gjithë botën me vaksina, por një zëdhënëse e qeverisë tha në një deklaratë se “mbrojtja e pronës intelektuale është burim i novacioneve dhe duhet të mbetet e tillë në të ardhmen”.
Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike tha se heqja dorë nga patentat do të inkurajojë prodhuesit e rinj, të cilëve u mungojnë njohuritë bazë dhe masat e mbikëqyrjes.
Një nga këto firma, Moderna, e cila kishte hequr dorë nga të drejtat e saj të patentës qysh në tetor, vuri në dukje të enjten mungesën e kompanive që janë në gjendje të prodhojnë me shpejtësi një vaksinë të ngjashme dhe të sigurojnë miratimin e saj./VOA