Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon sot ka shtuar edhe një kërkesë, krahas atyre që ka parashtruar shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell të enjten për Kosovën.
Von Cramon ka kërkuar hetim dhe ndjekje të penale të autorëve të sulmeve kundër ushtarëve të KFOR-it në veri.
Ajo është shprehur mirënjohëse ndaj trupave të KFOR-it dhe të lënduarve u ka uruar shërim.
Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka renditur dje tri kërkesa të qarta për zgjidhjen e situatës në veri të Mitrovicës.
“Kemi 3 kërkesa të qarta: Zgjedhje lokale të reja të menjëhershme, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që, serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët./KosovaPress