E mbyllën ashtu siç e nisën. Kampionët e vendit në volejboll për meshkuj, të besuarit e trajnerit Ylli Tomori, e mbrojtën titullin e fituar vjet dhe përfunduan një sezon të jashtëzakonshëm.
Më shumë do të jetë vetëm nëse marrin pjesë në kupat e Europës dhe tregojnë nivel të lartë edhe aty.
Partizani fitoi 3-0 ndaj Skënderbeut edhe finalen e tretë për trofeun e kampionatit në një ndeshje që nuk zgjati më shumë se 71 minuta.
Rezultati I seteve në Sallën Sportive të Farkës, pranë kryeqytetit ishte 25-13, 25-15 dhe 25-15.
Pra, sërish nuk u diskutua asgjë, ndërsa po 3-0 ishin fituar edhe dy finalet e tjera të plej ofit.
Të kuqtë I patën të gjitha ndeshjet fitore në këtë edicion të Superligës, madje duke mos humbur asnjë set.
Jo vetëm kaq, por nuk kanë humbur asnjë set në asnjë nga konkurrimet në të cilat morën pjesë, me përjashtim të një seti në Ligën Gjergj Kastrioti, në një ndeshje të luajtur në Kosovë.
Partizani fitoi çdo trofe të mundshëm, titullin kampion, Kupën e Shqipërisë, Kupën e Federatës, Ligën Gjergj Kastrioti dhe Turneun e Pavarësisë.