Volejboll/ Skënberbeu fiton kupën, korçaret marrin për herë të tretë “Gjergj Kastriotin”

schedule11:56 - 4 Mars, 2024

schedule 11:56 - 4 Mars, 2024

Mund ta quajmë titull të privatizuar. Skënderbeu fitoi për herë të tretë kupën “Gjergj Kastrioti” në volejboll për femra, në finalen e luajtur në Korçë ndaj Dritës së Gjilanit, dhe deri tani ky konkurrim ka vetëm një “pronar”.

Në prani të një numri të madh tifozësh që kishin mbushur Pallatin e Sportit, vajzat e trajnerit Orlando Koja, triumfuan me rezultatin 3-0, ndonëse përballja ishte e fortë të paktën në dy setet e para.

E tregon rezultati I seteve që ishte 26-24 e 25-23, pra që u ndanë vetëm me dy pikë. Në të tretin, Skënderbeu pati epërsi të plotë dhe ia doli 25-15. Ekipi korçar e ka marrë tri herë radhazi trofeun e turneut mbarëkombëtar, ndonëse duhet pranuar se fakti që u luajt në shtëpi ndihmoi jo pak.

Skënderbeu është gjithashtu në finalen e Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më vonë ndaj Partizanit në kryeqytet, ndërsa mban vendin e parë në kampionat. Duket se ky do të jetë sezoni i vajzave të Korçës, ndërsa trajneri Orlando Koja vazhdon në gjurmët e babait të tij legjendar, Vangjel Koja, teknikut më të mirë në historinë e volejbollit shqiptar. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!