Volejboll në karantinë, Pëllumbi: Presim fazën “play-off”, aty shpallen kampionët

schedule11:20 - 10 Prill, 2020

schedule 11:20 - 10 Prill, 2020

Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, ishte pjesë e emisionit “ABC-ja e Mëngjesit” në ABC News. Gjatë bisedës me moderatorin Enkel Demi, ai foli për fatet e këtij sezoni në volejboll, problemet financiare që ndjehen te klubet, ndërkohë që në fund foli edhe për mënyrën se si stërviten ata që merren më këtë sport të bukur.

FATI I SEZONIT – “Gjithçka erdhi në një moment të papritur. Ngjarje të tilla nuk parashikohen. Jashtë i kanë zgjedhur kampionët, por personalisht besoj se ne do të na krijohet mundësia t’u japim ekipeve të të rriturve, të zhvillojnë ndeshjet e ‘play-off’ për të shpallur kampion. Ekipet kishin shpenzuar, morën lojtarët të huaj. Kjo na kënaq. Do presim dhe do shohim, por mendoj se duhet lujatur të shpallen ekipet kampione”.

“E rëndësishme është që të luhet, nëse do jetë e mundur të jetë publiku, ëshët qershia mbi tortë. Ndryshe do zhvillohet. Në volejboll përgjithësisht ka distancë dhe mund të luhet, ndryshe nga sportet e tjera. Normal ka kontakte, por varen edhe nga politikat e qeverisë dhe si do jetë gjendja. Atëherë do të vendosim a do vazhdojmë apo jo”.

VËSHTIRËSITË FINANCIARE – “Kudo nuk ka shumë para në volejboll, sidomos në Shqipëria. Rritja e cilësisë ka sjellë njerëz në pallate sporti. Financat ndoshta janë edhe më të vogla, por ka një menaxhim më të mirë. Kjo ka sjellë edhe këtë rritje cilësorë. Ka ekipe që kanë marrë të huaj, por vjen e gjitha për të rritur cilësinë. Edhe sporti e ndjen krizën financiare, e normalisht edhe volejbolli. Lojtarët dhe stafet e ndjejnë këtë gjë. Nuk është koha të bëjmë qaramanin. Të kalojmë këtë periudhë dhe të shohim si do vazhdojmë, sigurisht së bashku me qeverinë, pasi të vetëm nuk ia dalim dot”.

STËRVITJET –“Në kontaktet që kam pasur me trajnerët, pasi kemi pasur shumë ndeshje ndërkombëtare sivjet, po stërviten në shtëpi dhe normalisht nuk është maksimumi. Kam informacion se të gjithë djemtë dhe vajzat ushtrohen për të dalë nga plogështia. Pas daljes nga karantina, së bashku me qeverinë, të dyfishonim grandin, që të marrin pjesë ekipet kombëtare në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Është nëj stimul për të gjithë sportistët, që do të mund ta kapin kohën e humbur shumë shpejt”.

“Kur mund të nisin përgatitjet? Jemi të varur në njëfarë mënyre nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe do të presim udhëzimin, jemi të gatshëm të fillojmë. Sigurisht u duhet lënë kohë ekipeve të stërviten, që të jenë sa më kompetitivë në garë”, deklaroi në mbyllje të emisionit Erlind Pëllumbi, presidenti i Federatës Shqiptarë të Voljebollit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!