Në sport ndodh edhe kështu. Tirana ishte vetëm dy pikë larg titullit kampion në volejboll për meshkuj, por ndoshta tani mund ta humbasë për fare. Pas ndeshjes së tretë finale, që përfundoi me pesë sete dhe me rezultatin e setit të pestë 16-14, Partizani duket se ka hyrë në një seri të shkëlqyer.
“Të Kuqtë” fituan thellësisht 3-0 sfidën numër 4 të luajtur në Sallën Olimpike “Feti Borova” në kryeqytet. Dominimi i volejbollistëve të trajnerit Ylli Tomori ishte i pazakonshëm, siç e tregon rezultati i seteve, 25-12, 25-19 dhe 25-22.
Çfarë po ndodh me Tiranën? Me gjasë, kampionët në fuqi të Shqipërisë pësuan një zhgënjim e një tronditje të madhe në ndeshjen e kaluar, pasi menduan se e fituan titullin. Padyshim që i kanë mundësitë për të reaguar, edhe pse do të jetë e vështirë.
Gjithsesi, “Bardheblutë” jo më kot janë dy herë radhazi kampionë të vendit dhe të besuarve të trajnerit Arben Sako nuk u mungon përvoja, teksa titulli kampion në volejboll për meshkuj do të vendoset këtë të diel në orën 18:00, në Sallën Sportive të Farkës, në finalen e pestë dhe të fundit të fazë “play-off”. /i.m /abcnews.al