Vokshi hedh akuza për dhunë ndaj banorëve te 5 Maji, përgjigjet Balluku: Çfarë bënit ju në 21 Janar kur u vranë 4 njerëz

schedule17:16 - 24 Mars, 2022

schedule 17:16 - 24 Mars, 2022

Ndërkohë që në Kuvend zhvillohej interpelancë për familjet e “5 Majit” të cilat do të zhvendosen, ka patur debate të forta mes deputetes së PD-së, Albana Vokshi, dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Vokshi e ka cilësuar të turpshme sjelljen e qeverisë përballë banorëve, të cilët sipas saj jo vetëm u grabitën por edhe u dhunuan nga policia.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres Balluku e cila i kujtoi Vokshit të vrarët e 21 Janarit kur PD ishte në pushtet.

Balluku tha se asnjë banor nuk po hidhet në rrugë, pasi të gjithë po kompensohen.

Pjesë nga debati:

Vokshi: Strehimi është e drejtë që mbrohet me Kushtetutë. Jemi në një regjim. nuk jemi në demokraci. Ju ndoqa mbrëmë në një intervistë. thatë se qeveria juaj është e njerëzve. S’ka pse zonja ministre të shkaktojë deri në Dibër, kemi shumë banorë këtu. Kur thoni këto është të qeshësh apo qash. Propaganda juaj nuk i strehon dot qytetarët. Si jep dot fëmijëve ilaçe, apo bukë. pse nuk i takoni banorët e 5 majit. Pse nuk e takoni Lauretën që e arrestuar dhe e latë 3 ditë pa takuar fëmijët e saj të mitur, pse nuk e takuat Nënë Lizën? Apo policët që tërhiqnin zvarrë një nënë të moshuar. Po a keni turp? Ndërkohë që krimi qeveris, ju merrni zvarrë prindër dhe fëmijë. Po banorët e Laprakës sa muaj rrinë dhe kërkojnë informacion?! Gaz, dhunë, shtëpi të shembura për 5 minuta.

Balluku: Unë zonja Vokshi nuk dola të merrem personalisht, pasi dola dhe thashë që strehimi i banorëve është një proces që po kryhet nga Bashkia e Tiranës. Për çfarë turpi flisni ju zonja Vokshi. Çfarë bënit ju zonja Vokshi kur ne në 21 janar ngrinim të vdekurit në Bulevard. Atëherë nuk na qëlluat as me plumba gome e as me gaz lotsjellës, por me plumba prej vërteti.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!