Vokshi denoncoi daljen e tezës së vlerësimit të mësuesve, Kushi: Nëse ke prova largohem nga detyra

schedule11:20 - 7 Prill, 2022

schedule 11:20 - 7 Prill, 2022

Ministrja e Arsimit Evis Kushi u është përgjigjur akuzave të anëtares së Komisionit të Rithemelimit Albana Vokshi në lidhje me daljen e tezës së provimit të mësuesve. Kushi thotë se sfidon Albana Vokshin që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen e ministres në procesin e testimit dhe vlerësimit të mësuesve.

Nëse deputetja demokrate vërteton akuzat, shton ministrja, ajo është gati që të largohet nga detyra menjëherë. Por në të kundërt, thuhet më tej në reagim, përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje do të mbajë Albana Vokshi.

Ministrja bën të ditur se që sot do të depozitojë padinë ndaj Vokshit në gjykatë.

EVIS KUSHI NË FACEBOOK

“Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve.
Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.
Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor.
Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik.
Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja.”
Më herët gjatë ditës së sotme, deputetja demokrate publikoi në llogarinë e saj në Facebook një mesazh që i kishte ardhur nga një mësuese e Elbasanit. Nga sa tregonte mësuesja, drejtori i shkollës ku ajo punon i kishte paraprakisht pyetje-përgjigjet e provimit dhe se ua kishte dhënë ato “njerëzve të vet.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!