Torino siguroi një fitore të madhe në fushën e Udineses ditën e djeshme. Goli i Belotti pas një ore lojë, i dhuroi ekipit granata tre pikë të rëndësishme për objektivin mbijetesë. Mërgim Vojvoda luajti titullar në krahun e djathtë dhe zhvilloi një ndeshje të mirë.
26-vjeçari dardan foli për mediat në lidhje me suksesin në Friulin, që e dërgon Torinon 5 pikë mbi zonën e ftohtë. Vojvoda flet rreth situatës në skuadrën e tij, duke u ndalur edhe te ndryshimi pozitiv që ka sjellë trajneri Davide Nicola.
“Jemi të lumtur, pasi arritëm një fitore të rëndësishme kundër Udineses. Nuk ishte aspak e thjeshtë, pasi ata zhvilluan një ndeshje të mirë. Në u treguam të aftë, më shumë në aspektin mbrojtës sesa atë teknik. U shfaqëm shumë mirë në prapavijë.
Nicola? Trajneri ka shumë energji dhe vendosmëri. Cilësi të rëndësishme të cilat duhet t’i kemi edhe ne, më shumë se skuadrat e tjera. Dallohet nga jashtë që ia dalim t’i shfaqim këto cilësi kur zbresim në fushë. Tani jemi më të vendosur dhe kjo është e rëndësishme pasi duhet të mbledhim sa më shumë pikë.
Unë dua të ndihmoj gjithmonë skuadrën. Jam gati ta bëj aty ku do trajneri, djathtas apo majtas, nuk ka shumë rëndësi. Unë jam i kënaqur që po jap kontributin tim. Ndryshimi në pankinë? Me Giampaolon tentonim të luanim bukur, po mungonte diçka“, theksoi Vojvoda. /abcnews.al