Vogli: Nuk mund të flitet më për futboll profesionist pa mbështetje

schedule10:59 - 12 Shtator, 2020

schedule 10:59 - 12 Shtator, 2020

Gazmend Vogli, drejtori sportiv i Kastriotit, ka lëshuar një deklaratë mbi situatën e krijuar në futbollin shqiptar. 10 klubet e Superiores kanë publikuar katër kërkesa për qeverinë, që lidhen me TVSH-në, ligjin e sponsorizimit, tatim mbi fitimin dhe faljen e kamatëvonesave për detyrimet fiskale të prapambetura.

Vogli, në deklaratën e tij, thekson se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, atëherë në vendin tonë nuk mund të flitet më për futboll profesionist.  “Ne si klubi i Kastriotit jemi të mendimit se futbolli duhet të përkrahet, qeveria duhet t’i kthejë sytë nga ne. Premtimet e bëra duhet t’i mbajnë. Ka ardhur momenti që duhet përkrahur futbolli.

Po të shohim çfarë ndodh në rajon, mbështetja për klubet e futbollit në Shqipëri është më e vogla. Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë ligji i sponsorizimit është favorizues, me 40 dhe 30 për qind.  Duhet patjetër të ketë mbështetje për futbollin, duke parë edhe ecurinë e klubeve shqiptare në kupat e Europës së fundmi.

E përsëris që duhet të ketë mbështetje, ndaj qeveria duhet të reagojë dhe të ndihmojë në zhvillimin e futbollit. Ndaj katër kërkesat tona duhet të pranohen nga qeveria.  Nëse nuk do të ketë reagim dhe nuk do kemi mbështetje, nuk mund të flitet më për futboll profesionist, pasi lojtarët do detyrohen të bëjnë dy-tre punë për të mbijetuar.

Edhe ne nuk i kemi mundësitë për t’i paguar. Nëse nuk ka mbështetje, do të vazhdojmë të bojkotojmë kampionatin deri në momentin kur kërkesat tona të pranohen”, është shprehur Vogli, në deklaratën për shtyp që klubi krutan ka shpërndarë për mediat përmes rrjeteve sociale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!