KUKËS– Një 23-vjeçar nga Kukësi është vënë në pranga me akuzën e vjedhjes. Sipas Policisë, ai ka vjedhur një makinë tip “ML 270”, të cilën e mbante të parkuar pranë banesës së tij. I riu është nga fshati Topojan, ndërsa bëhet e ditur se ai rezulton i përfshirë edhe në dy raste të tjera të vjedhjes së pronës.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhen edhe 2 vjedhje të tjera të kryera më parë nga ky shtetas, në qytetin e Kukësit. Në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin M. I., 23 vjeç, banues në fshatin Topojan, Kukës.
Ky shtetas dyshohet se në datën 10.03.2023, në lagjen nr. 3, Kukës, ka vjedhur automjetin tip “ML 270”, në pronësi të shtetasit B. C. Automjeti i vjedhur është gjetur nga Policia, i parkuar përpara banesës së shtetasit M. I. Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas është autor edhe i 2 rasteve të vjedhjes të pronës. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.