Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e djeshme dy shtetas nënë e bir pasi kishin vjedhur 400 mijë euro dhe disa aksesorë floriri në një shtëpi.
Autorët me iniciale R.D dhe H.D i kishin fshehur lekët dhe aksesorët në tubin e aspirimit.
Shërbimet e Policisë gjetën 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Njoftim policie
Gjenden dhe sekuestrohen edhe 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, në banesën e dy autorëve të arrestuar gjatë operacionit ditën e djeshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të operacionit policor të koduar “Inside”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit R. D. dhe H. D., nisur nga dyshimet e krijuara, mbi shumën e vjedhur në banesën në Rrugën e Kosovarëve, bazuar në inteligjencën informative dhe veprimet hetimore të thelluara është ushtruar rikontroll në banesën e shtetasve R. D. dhe H. D. (nënë e bir).
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në tubin e aspirimit, 404 800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al