VMRO-DPMNE akuzon qeverinë, Fleckenstein: Orban s’pranon azilkërkues

schedule13:21 - 14 Nëntor, 2018

schedule 13:21 - 14 Nëntor, 2018

VMRO-DPMNE ka akuzuar qeverinë maqedonase se po përndjek opozitën dhe se po ushtron presion politik. Nga ana tjetër kryeministri Zaev pret që Gruevskit të ekstradohet dhe të vuajë dënimin me burg. Ndërsa eurodeputeti Fleckenstein ka thumbuar Gruevskin dhe qeverinë e Hungarisë duke thënë se kryeministri Orban nuk pranon azilkërkues.

Partia opozitare në Maqedoni, VMRO-DPMNE, ka akuzuar LSDM-në se është duke kryer përndjekje dhe presion politik. Sipas tyre keqpërdorimi i urdhrit për përndjekje të Nikolla Gruevskit për rrethim të shtabit të partisë është reflektim i metodave jodemokratike që nuk kanë bazë në botën e civilizuar dhe Evropë. Opozita shton se sundimi i drejtësisë duhet përsëri të bëhet praktikë e jo përjashtim.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev ka mohuar spekulimet se ka pasur marrëveshje politike me ish kryeministrin Gruevski, i cili është arratisur në Hungari. Zaev pret që ai të ekstradohet në Maqedoni dhe të vuajë dënimin prej dy viteve burg për rastin “Tanku”. Ai e cilësoi Gruevskin si të mjerë.

Ndërkohë, Eurodeputeti Knut Fleckestein, thotë se autoritetet hungareze nuk do të miratojnë kërkesën e Gruevskit për azil politik. Përmes një postimi në Twitter, ai shkruan se kryeministri Viktor Orban nuk ka miratuar kërkesa të tillë. “E kam të vështirë të mendoj se Qeveria e Hungarisë do të miratojë kërkesën për azil politik për ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski. Së pari, Gruevski mund të jetë i sigurt për një proces të rregullt në Shkup dhe së dyti, gjithmonë kam menduar se Orban nuk pranon azilkërkues në vendin e tij”, shkruan Fleckenstein duke thumbuar si Gruevskin ashtu edhe kryeministrin hungarez, i cili mban një linjë shumë të ashpër kundër emigrantëve që kërkojnë azil. Ndërkaq, mësohet se edhe pse në kërkim dhe në një shtet tjetër, ish kryeministrit nuk do t’i hiqet mandati i deputetit. Kjo do të ndodhë vetëm nëse Gruevski do të mungojë për 6 muaj në kuvend. Dhe për çdo ditë që do të mungojë, rroga e tij do të zvogëlohet me 5%./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!