15 banesa në fshatin Bishan, Fitore dhe Novoselë, 20 krerë bagëti të ngordhura dhe dëme në rezervat ushqimore për bagëti. Evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në njësinë administrative Novoselë vijon, ndërsa pritet edhe përllogaritja e tyre në tokat bujqësore.
Nga Bashkia Vlorë janë evidentuar dëmet në banesa, ku janë 4 në fshatin Bishan, 8 në Novoselë dhe 3 në Fitore, të cilat janë shumë pranë shtratit të lumit. Nga Drejtoria e Veterinarisë ka nisur evidentimi i bagëtive në stane dhe stalla. Kreu i Drejtorisë së Veterinarisë, Adila Kojdheli, ka konfirmuar se janë rreth 20 krerë bagëti të ngordhura, ndërsa dëmet më të konsiderueshme janë në ushqimin për bagëtinë.
Aktualisht është shpërndarë deri më tani rreth 6 tonë koncentrat dhe do të vijohet me këto ndihma, ndërsa evidentimi në tokat bujqësore do të kryhet nga ministria pas tërheqjes totale të ujërave.
Situata në këto zona tashmë paraqitet më e qetë, ndërsa pritet përfundimi total i evidentimit të dëmeve./abcnews.al


