Një titull e ka fituar, por jo në Shkodër. Edi Martini, kampion i Shqipërisë në 2021 me Teutën, dhe fitues I Superkupës po me durrsakët, do të synojë t’ia dalë me Vllazninë e tij.
Klubi shkodran njofton se pikërisht ish-sulmuesi i shquar do të jetë trajneri i ri i skuadrës, duke nisur që sot.
Martini, 50 vjeç, zëvendëson në stol gjermanin Tomas Brdariç që u shkarkua nga drejtuesit menjëherë pas humbjes së rëndë 0-4 në finalen për titull ndaj Egnatias në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet.
Akordi mes palëve është për sezonin e ardhshëm, me të drejtë rinovimi për një vit tjetër.
Martini ka karrierë të gjatë si trajner, filluar që në 2007, por Vllazninë e ka drejtuar vetëm një herë, 15 vjet më parë.
Ai ka fituar titullin kampion si lojtar në 2001, ndërsa ky është një kthim në shtëpi.
Shkodranët patën pretendime të mëdha edicionin e kaluar, duke arritur finalen e plej ofit për titull në Superligë, pas fitores 2-1 me polemika ndaj Dinamos në gjysmëfinale, por u dorëzuan plotësisht përballë Egnatias.
Shpresa është që vitin e ardhshëm të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit, ndërsa skuadra kuqeblu dhe tifozët kanë 24 vjet që presin triumfin e madh.

