Vllaznia bën debutimin në këtë sezon të Conference League. Në orën 20:45, skuadra shkodrane luan në Belfast kundër Linfild, ndërsa trajneri Migen Memelli beson te kualifikimi për në raundin tjetër të kompeticionit.
Vllaznia nis aventurën europiane në Irlandën e Veriut. Skuadra shkodrane zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Belfastit, ku do të përballet me Linfild në sfidën e vajtjes në turin eliminator të Conference League. Pas 30 ditësh përgatitje me ekipin e ri, trajneri Migen Memelli do të bëjë debutimin në një ndeshje të rëndësishme në Kupat e Europës.
“Përpos emocioneve, ajo që vlerësojmë është përgatitja e madhe që ka bërë skuadra në këto 30 ditë. Djemtë kanë pasur një përkushtim të një niveli të lartë. E parë kjo në këndvështrimin tonë, nesër besojmë se do të bëjmë një performancë shumë të mirë. Ajo ç’ka më lind të them është se djemtë kanë punuar shumë mirë dhe jemi këtu për të bërë gjërat e duhura që në fund të gjithçka të vlerësojmë dhe të kemi qartësinë në këtë 90 minutësh të parë.
Kundërshtarin e njohim, por duhet pasur parasysh që ndeshja e parë është një fillim i mirë për të shkuar pastaj te ndeshja e dytë. Kemi punuar shumë në terren, kundërshtari është i fortë sicc e thashë, nuk dua të zbuloj më tepër. Ajo ç’ka kam parë te djemtë është përkushtimi i tyre dhe nisur nga ky fakt, besoj që çdo gjë do të shkoj mirë në fushën e lojës.
Miqësoret kanë mjaftuar me pjesën e njohjes së skuadrës me elementët që ka skuadra sot. Kemi një skuadër 70-80 përqind të re. Një skuadër tek e cila besojmë dhe elementët që janë afruar janë cilësor. Përpos kësaj besoj që djemtë do të bëjnë shumë mirë, ekipi është drejt konsolidimit dhe duke parë edhe miqësoret në fazë përgatitore, na jep besimin se gjërat do të shkojnë mirë.
Do të shikojmë edhe përgatitjen e sotme dhe më pas do të vendosim për formacionin. Do të masim forcat dhe do t’i bëjmë gjërat të barabarta në lojë. Duhet të jemi të kujdesshëm në të dyja fazat, si në atë sulmuesi dhe në atë mbrojtëse. Ky 90 minutësh është për të njohur dhe parë kundërshtarin më mirë, por edhe për të shprehur vlerat tona më mirë.
Të dy apo 3 lojtarët që mendojmë që mund të luajnë në mesin e fushës janë lojtarë cilësorë, iu kemi dhënë besim dhe vazhdojmë t’iu japim besim, përpos moshës së re. U japim vlerësim lojtarëve sepse ata përfaqësojnë një klub të madh si Vllaznia. Besoj që gjërat do t’i bëjnë mirë dhe pa asnjë presion në fushën e lojës. Të gjithë lojtarët që do të hedhim në fushë nesër, kanë besimin jo vetëm timin, por edhe të klubit. Duke qenë se janë te Vllaznia, besoj se do të bëjnë mirë.
Nuk ndjej presion në debutimin me Vllazninë, si lojtar i kam kaluar këto lloj etapash, tani si trajner besoj se të gjithë kundërshtarët janë të njëjtë. Duke qenë se kjo ndeshje ka një rëndësi tjetër, është vlerë e shtuar që për të kaluar këtë skuadër, çdo gjë përmirësohet, në nivel klubi, financash dhe të gjitha. Pritshmëria është e madhe si nga ne, drejtuesit, por edhe nga tifozët e Vllanizë. Sot këtu nuk përfaqësojmë vetëm Vllazninë, por gjithë Shqipërinë. Nesër shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të denjë për të gjithë bashkë.
Ne si teknikë kemi preferenca që të kemi prurje sa më shumë. Por kemi verën përpara, deri në 31 gusht për të përmirësuar dhe përforcuar skuadrën. Sot jemi me këta lojtarë miks, të rinjtë dhe ata me eksperiencë. Do të ecim me strategji që dhe klubi të ketë përfitimet e tij.
Prania e tifozëve shkodranë besoj që do të jetë një vlerë, për të gjithë ne dhe për lojtarët në fushë. Shpresoj që të dalim mirë dhe t’i kënaqim në fund.
Vllaznia hyn në fushën e lojës për të fituar. Ne do të bëjmë maksimumin me forcën tonë, për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje duke qenë se është e para, por gjithmonë me kujdesin për t’i bërë gjërat mirë dhe pa u nxituar në fushën e lojës”, përfundoi Memelli./ h.ll/abcnews.al

