Marko Simonovksi do të luajë me një skuadër shqiptare. Sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, i cili ishte në bisedime me Vllazninë gjatë merkatos së verës, ka pranuar propozimin e Feronikelit. Pretendimet e tij ishin të larta kur shkodranët e kërkuan dhe me siguri tani që kishte mbetur pa ekip do i ketë ulur.
Simonovksi ishte lojtar i lirë dhe mund të aktivizohet në ekipin nga Drenasi. Ai është regjistruar dhe trajneri Klodian Duro mund ta llogarisë atë që në ndeshjen e sotme kundër Arbërisë, sikurse thuhet në njoftimin e bërë nga Feronikeli.
KOMUNIKATA – “FC Feronikeli konfirmon që ka kompletuar transferimin e futbollistit më të ri, sulmuesit nga Maqedonia, Marko Simonovski. Klubi ka kompletuar dokumentacionin e Simonovskit dhe futbollisti është i gatshëm për ndeshjen e sotme ndaj Arbërisë, që fillon prej orës 13:00, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.
Marko Simonovski është futbollist i lindur në Shkup, më 02 janar 1992, i gjatë 1.85cm dhe luan në pozitën e sulmuesit të qendrës. Më parë, Simonovski ishte pjesë e skuadrave: Voluntari dhe Sepsi nga Romania, Lahti, Shakhter, etj. Ai, te FC Feronikeli është transferuar si futbollist i lirë, pas përfundimit të sezonit me Voluntarin”, shkruan klubi nga Drenasi. /abcnews.al